New products

» No new products at this time

Our hotline is available 24/7

Tel:067-20-37-426

Contact our hotline
Galerie d'art

Formimi dhe zhvillimi i Kompanise Valdrin 

Askush nuk do ta imagjinonte qe Bar-kafeja ‘Prroi i Andrrës’, nji hapsinë 10 m2, në Lagjen Nr. 1 në Kukës do të kthehej në nji pik-takim për thurje andrrash, në kohën kur Shqipnia sapo kishte dalë prej nji sistemi që e kishte mbyllë ciklin e vet, dhe kur njerezit ishin në ethe për të zanë vendin e tyne në këtë shoqni të re, ku duhej tashma,  të mendohej vetë për vehten dhe të ardhmen. As Sokol Kolgjini e Albert Mata nuk e kishin imagjinue atëhere që prroi i andrrës do të bahej për ta simboli i nji realiteti që vizualisht do të ngjante me dy lumejt që bashkohen mbi qytetin e vjetër të Kukesit.

Valdrin ishte emni i biznesit të maparshëm të Sokolit ku perfshinte edhe Prroin e Andrrës . Si nji parandjenje për tu përdorë në të ardhmen, bashkimi i ideve, energjive dhe kapitalit modest të tyne në bisedat e përditeshme. Prroi i andrrës, sot kujtohet si nji simbolikë e vecantë. Dy drejtëza që u bashkuen si dy lumejtë në nji pikë duke ruejtë formën e shkronjës V, që prej andrrës u kthye në Valët  e Drinit të bashkuem  në vitin 1995, për nji udhëtim të ri e të gjatë, me plot të paprituna  te kandëshme e të pakandëshme, në universin jo fort të njoftun të biznesit.

 

Sokol Kolgjini e kishte regjistrue biznesin  si person fizik në vitin 1992. Ma vonë, në 1993  deri në 1995 ka vazhdue punën në Tiranë, ku ka regjistrue kompaninë ‘Valdrin’, tue provue aktivitete të ndryshme biznesi, dhe në vitin 1995 dështon për arsye të ndryshme. Së pari, për arsye të mungesës së përvojës në biznes, e sidomos kur profesioni i tij ishte mësues fiskulture dhe mjeshtër i gjimnastikes, afër mendsh se biznesi, drejt të cilit ishin sulë të gjithë shqiptarët në atë kohë, do ti jepte goditjen e parë. Sokoli, tue kujtue atë kohë  thotë se prapë kishte qenë optimist, pavarsisht se kishte humbë financiarisht, të paktën kishte fitue përvojë. Nga distanca e kaq viteve, ai shprehet se përvoja nuk ka fund, sa herë që e kam fitue nji përvojë, shpejt e kam kuptue se më duhet  përvoje.

Arsyeja tjeter ishte se ligjet në Shqipni ndërronin mbrenda natës dhe, për fat të keq, nuk baheshin ligje në funksion të biznesit por biznesi i njerëzve me njifare pushteti rishtas, përshtaste ligjet, që formësoi edhe fillesat e monopoleve. Figura e politikanit biznesmen dhe ajo e biznesmenit politikan, u mbivendosen qysh me ndërrimin e sistemit politik, tue u nderthurë keqas, saqë dhe sot e kesaj dite duket se nuk po shkëputen prej njana tjetrës, por vetem po sofistikohen ma shum...

Albert Mata, edhe pse shum i ri në atë kohë, kishte nuhatjen dhe shkathtesinë për të ndërmarrë inisiativa biznesi të ndryshme. Fillimisht kishte ushtrue shit-blerje në tregun me shumicë të produkteve që kishin interes për personat me viza për në Kosovë (ish Jugosllavi) dhe në vijueshmëni kishte krijue nji klientelë stabile.  Mbas shum përpjekjesh e mundimesh, që në kontekstin e atëhershëm ballkanik, në rrethanat kur dukej se në këtë pjesë të botës po luheshin numra cirku që për hicgja mund të rrezikoje jeten, ai arrin të sigurojë nji vizë dhe të ushtroje biznesin e tij si dorë e parë – prej burimit ne destinacion. Kuptohet se biznesi nisi t’i ecte ma mirë deri në periudhen kur filluen me u shtue problemet në kufi dhe keqtrajtimet prej doganiereve serbë.  Kujtojmë se në ate kohë, megjithese serbët kishin interes me u furnizue me mall prej Shqipnie, ata i keqtrajtonin shqiptarët në kufi në mënyra shumë brutale dhe denigruese. Përkundër suksesit financiar, Alberti nuk pranoi ma, në aspektin njerëzor, të ishte objekt i  trajtimit të tillë...

 

Tek ‘Prroi e Andrrës’në shkurt të vitit 1995, Sokoli dhe Alberti, me ambicje ma të mëdha dhe në kërkim të opsioneve ma të qëndrueshme, natyrshëm e shofin njani-tjetrin si komplementar për të rinisë këtë udhëtim të ri së bashku. Në kuadrin e andrrave me plot pasion per ti kthye ato në realitet,  sillej herë mbas here ideja me u marrë me me Coca-Colën, nji produkt i ri për Shqipninë, ku tashma kishte fillue me ndërtue rrjetin e distributorëve (Tiranë, Durrës, Shkodër, Kavajë, Fier etj) dhe që mungonte në Kukës.  I vetmi shqetësim ishte nëse do të merrej e drejta e distributorit ekskluziv.  Sipas informacionit, CCBS nuk e jepte ‘de jure’ ekskluzivitetin, pa u bindë për seriozitetin e njerëzve që dëshironin të punonin me të. Pas hulumtimeve dhe informacioneve rreth mundësisë për ta fillue dhe realizue këtë biznes, por me ambicje për ekskluzivitetin e këtij produkti për Kukësin, realizohet nji takim në fabriken e CCBS me drejtorët e shitjeve. Ky takim e len derën e hapun për nji të dytë, ku mund të vendoseshin themelet e bashkëpunimit me kompaninë ma të madhe dhe ma serioze në atë kohë në Shqipni.

 

 

 

Formimi i kompanisë Valdrin - 1995

Filluen procedurat juridike të transformimit të firmës. Përgatitjet e mjeteve, përshtatja e karrocerisë së kamionit për llojin e ngarkesës, punesimi i nji shoferi, gjetja e magazinës për shkarkimin e mallit. Gjithcka ishte llogaritë paraprakisht në letër, në formën e nji plan-biznesi, llogaritjet e shpenzimeve dhe të të ardhunave të priteshme.

VALDRIN u transformue prej person fizik në person juridik më 16 mars 1995, sipas Vendimit të Gjykatës nr.9727.

Më dt. 24.03.1995 firma Valdrin paraqitet në fabrikën e CCBS për takimin e dytë. Pas shume diskutimeve, CCBS pajtohet për kontratë ekskluzive tremujore.  Kontrata tjetër do varej prej rezultatit të punes.  Ky u konsiderue sukses për partnerët e rij të Valdrinit.  

Më datën 24.03.1995 ngarkohet kamioni për llogari të Kompanisë Valdrin, që shënon fillimin e bashkëpunimit me CCBS. Më datë 25.03.1995 niset kamioni me ngarkesë për Kukës. Ishte kohë jo shumë e ngroftë, rruga mjaft e vështirë dhe shum e gjatë...

 

Fillon shkarkimi, me dorë nji nga nji çdo arkë. Sokoli, Alberti dhe Beni, shoferi i kamionit, ishin puntorët e shkarkimit. Bashkë me shkarkimin, fillon edhe bora e fundit e marsit. Natyrisht, situata dukej qesharake, përgatitja për shitje të pijeve freskuese në qytetin me borë. Vështirësitë ishin shum ma të mëdha se sa ishin mendue, mbasi kishte hezitim për futjen në treg të produkteve të reja.  Gjithashtu disa rregulla që kishin të banin me ambalazhin ishin pengesë. Gjithsesi, mbas shum perpjekjesh, ditë mbas dite, dukej se po arrihej rezultat, edhe se bora po shkrihej. Shpërndamja u realizue thuejse në të gjitha lokalet ekzistuese.      

Kompania Valdrin merr urimin - suksese per vijueshmëninë!  

Pas tre muajsh kompania informohet se fabrika e CCBS do ta nënshkruente kontratën me të drejta ekskluzive.

Puna vijoi edhe ma mirë në vazhdim, mbasi, kuptohet, po shkohej drejt stinës së nxehtë dhe gradualisht krijohej nje vijueshmëni stabile.  Kështu mbyllet viti i parë i punës me nji rezultat pozitiv, e për ma shum, krijimi i nji strukture me mundësi zgjanimi në vijueshmëni.  

 

1996 - Ishte vijim i konsolidimit të marredhanjeve me fabrikën, veçse u shfaqen efektet e  të famshmeve ‘Piramida’, që për fat të keq, po shtoheshin.  Për herë e ma shumë mjetet financiare grumbulloheshin në këto piramida dhe kështu paksohej qarkullimi në treg.  

1997 – Viti famkeq në fillimet e veta, ishte vijimësi e situatës së keqe të 1996-ës, deri në kohën e shpërthimit të trazinave të njoftuna.  Biznesi mbahet në kambë me vështirësi. Marsi ishte mueji i situatës ma paradoksale që mund të mendohej.  Kudo kishte armë dhe krisma armësh.  Kallashi ishte fjala e ditës.  Edhe në këto rrethana, Valdrin nuk e mbylli asnji aktivitet për asnji minutë edhe pse tashma anarkia e terrori mbizotnonin kudo.

Valdrin mori masat e veta dhe mobilizoi të gjithë punojsit e kompanisë në udhëtime rutine pothuajse çdo javë, edhe për faktin se pikat e tjera të furnizimit e mbyllen aktivitetin e tyne përkohësisht ose së paku e minimizuen për shkak të vështirësisë së transportit.   

97-ta, edhe pse ishte fatkeqësi kombëtare, paradoksalisht, në anën tjeter rezultoi si viti ma i suksesshëm në bilancin e firmës - dukej  si nji përballje e jetës me vdekjen në nji sens.   

1998 - Ndërtimi ishte trendi në këtë periudhë. Ishte viti në të cilin u mendue bukur gjatë për me zgjanue biznesin. U provue ndërtimi por kompania nuk pati sukses në këtë fushë.   

Ndërkohë po mendohej për ndonjë aktivitet që do të ishte ma i përshtatshem. Situata financiare vazhdonte e njitrajtshme, por me rritje graduale. Dukej se ishte koha për kompaninë që të kishte objektin e vet. Përvec të tjerave, aktiviteti do të ishte ma i kontrolluem në aspektin e sigurisë, që në të kaluemen nuk pati përvoja aq të mira.  Fillon puna për projektin e objektit të kompanisë.

1999 – Vazhdon puna në ndërtimin e objektit dhe paralelisht përdorimi i katit të parë, tashma i mbuluem, funksionon si depo e mallnave. Ndërtimi vazhdoi me moton ‘fito nji lek dhe blej nji tullë’.  

27 Mars 1999 – situatë katastrofike në Kukës. Dita ma tronditëse që ishte pa në qytetin tonë, pa pritë e pa kujtue qyteti mbetet pa fjalë: numuri i njerëzve të përzanë prej Kosove rritej cdo minute, shumica gra dhe femijë të hutuem e të përlotun...   

Kjo ishte fatkeqësia e dytë e përjetueme, por kësaj radhe ajo ende ishte vetëm në shpatullat e Kukësit. Po ashtu edhe paradoksi i dytë, në aspektin e suksesit financiar të kompanisë. Për Valdrinin furnizimi ishte emergjent. Shum shpejt u krijue nji frymë bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare, kombëtare si dhe grupe të organizueme të rijsh shqiptar prej Kosove, që u banë pjestarë të kompanisë.  Kompania duhej të punonte 24 orë.

2000 – Teknologjia e informacionit. Duhet theksue se kontakti me teknologjinë e kompjuterave ishte i tërthorte deri në atë kohë, veçse shihej randësia e tij nga fakti qe CCBS e kishte mjet kryesor pune. Gjithçka aty ishte e kompjuterizueme, përfshi dhe faturimet.  Ky ishte edhe kontakti i parë i randësishem me teknologjinë e informacionit. Kompania investoi në pajisje kompjuterike në funksion të përdorimit të përditshëm. 

2001 – Ishte koha për nji aktivitet të ri.  Përvec përdorimit të kompjuterit, i cili u përthith shumë shpejt prej partnerëve, filloi të flitej për mundësitë e përdorimit të internetit. Diçka e re, por interesante edhe si ide biznesi. U vendos që IT të bahet pjesë e biznesit të kompanisë. Në fund të vitit 2001, kur dhe ndërtimi i kompleksit po merrte formen finale, u përcaktuen edhe vendet se ku do jetë salla e internetit, salla për bar-kafe, salla e kursit të gjuhëve të huaja etj. Interneti ishte mundësi shum e mirë për biznes, por mundesitë për me e pru në Shqipni ishin të vogla.  U banë shum përpjekje për me marrë informacion dhe konkluzioni ishte se në Shqipni do të kishte mundësi për me pru internet vetëm nëpërmjet satelitit.  Huge Network System në USA ishte kompania ma e madhe në këtë fushë, por nuk ofronte shërbim në Shqipni.  Ata kishin nji distributor në Londër për Europën (Bentlly Walker).   

2002 – Përfundoi totalisht ndërtimi i Kompleksit të shërbimeve Valdrin dhe pajiset me gjithçka që i duhej lokalit bar-kafe dhe salla e internetit. Përpjekjet për me mundësue internetin vazhduen dhe do finalizoheshin mbas përgjigjes së marrë nga Bently Walker, e cila kishte hapë tashma nji distribucion në Prishtinë. Kontakti ishte i menjihershëm dhe fillimet e internetit në Kukës lidhen me kontraktimin që u ba në mes të Valdrin dhe Click Computer (Bently Walker distributor) për shpërndamjen e internetit në Shqipni, si përfaqësues ekskluziv.

Ma vonë kontrata u lidh me kompaninë SkyLogic –Eutelsat company, Europe.

Fillimisht do të hapej salla e Kukësit.  Ishte gjithçka gati.  U importuen pajisjet satelitore dhe filloi puna për montim.

Finalizimi ishte arritje e madhe. Ishte sistemi i parë i internetit satelitor komercial në Shqipni. Deri në atë kohë interneti njihej shum pak, ishte hapë vetem në nji pikë në Tiranë me dial-up. U mendue gjithcka deri në detaje. Suksesi i menjihershëm e mposhti frikën që ekzistonte nëse ky biznes do të funksiononte ose jo.  Funksionoi për mrekulli.

Valdrin u ba distributor për Shqipninë, kështu që puna nuk mund të ndalej ma. Filloi publikimi për këtë aktivitet dhe erdhën kërkesat e parë prej Lezhe, Fieri, Tirane, Durrësi etj.  Aktiviteti po përhapej dhe partnerët e kishin marrë vetë përsipër këtë punë, tue punue personalisht në instalimin e këtyne sistemeve.   

Sjellja e sistemit të parë të internetit satelitor, bani që të rijtë kuksianë me këtë dije ma të avancueme se bashkmoshatarët e tyne në fushën e re të teknologjisë së informacionit, të shquheshin në universitete të ndryshme në vend. Nji njoftim se nji klasë e gjimnazit të Kukësit kishte shkue me dhanë eksperiencë në Elbasan për internetin, ishte lajm shum i mirë për kompaninë Valdrin. Partnerët u bindën se kishin ba gjanë e duhun, nji biznes që jo vetëm merr, por edhe jep, siç do thote ma vonë në nji bisedë Robert Wood për këtë biznes.

2003 – Interneti ishte risia e parë, por çfarë do ta ndiqte atë?  Valdrin ishte në kërkim të kësaj. Në Prill 2003 u hap dyqani i parë me kompjutera e pjesë kompjuterike në Kukës.  Gama e artikujve ishte e madhe dhe ofertat ishin të mira.  Filloi të funksiononte si biznes, por me ritme të ngadalshme.  Njerëzit nuk ishin masivisht të familjarizuem me kompjuterin si dhe mundësitë financiare ishin të vogla.  Duhej vazhdue kompletimi i këtij biznesi, që ky të bahej edhe ma masiv.  Këtë do e sillte viti 2004.

2004  –  Pas kërkimeve, tashma në internet, u muer informacion për daljen në përdorim të pajisjeve valore (wireless) dhe pas disa kontakteve u vendos që të fillojë testimi me produktet e kompanisë TRENDnet në Californi.  Në janar 2004 u përpilua porosia e parë me produkte shembull (sample) dhe kur produktet erdhen, u desh shumë kohë dhe biseda telefonike me inxhinjerët e TRENDnet, që me mundësue lidhjen e dy pajisjeve wireless që të komunikojnë me njana-tjetrën.  Ishte punë e vështirë, aq ma tepër se këto pajisje sapo kishin dalë në përdorim dhe ishin dicka e re edhe për Amerikën.  Konfigurimi i dy Access Point-ve të parë, përvecse shtoi gamën e produkteve në dyqanin e kompjuterave, hapi dhe dyert e nji pune të re.  Valdrin tashma do ishte distributor zyrtar i Kompanisë TRENDnet.  Fillimisht prova duhej ba në Kukës. U instaluen pajisjet transmetuese për Wi-Fi dhe u ofrue internet në zyra dhe shtëpi të çdo qytetari Kuksian. Sistemi funksiononte shkëlqyeshëm dhe nxitja për njerëzit për me pasë nji kompjuter në shtëpi ishte edhe ma e madhe, mund të kishin edhe internet.   

Në vijim të kësaj, Kukësi u ba qyteti i parë në Shqipni që ishte i mbuluem me valë wireless kudo, falë konfigurimit të Access Point-ve si repeater. Kjo përvojë u nda edhe me klientat satelitorë të Valdrin në rrethe, ku të gjithë pa përjashtim filluen të banin shpërndamje interneti me valë.  Kuptohet se ndërtimi i sistemit fillestar dhe suporti do ishte prej Valdrin. Nji tjetër risi që po vinte prej Kukësi.  Partnerët e Valdrin kishin arsye me qenë krenarë per këtë.  

2005 – Viti i konsolidimit të bizneseve ekzistuese.  Gjithcka tashma ishte rutinë për Valdrin që vazhdonte instalimet e sistemeve satelitore në rrethe të ndryshme. Të gjithë klientëve u ofrohej sistemi i plotë, marrje prej sateliti, salla e internetit dhe shpërndamja për klientët familjarë.

Pajisjet e TRENDnet po gjenin përherë e më shumë shtrimje dhe puna me këtë kompani vazhdonte në rritje, falë edhe faktit se TRENDnet kishte gamë të madhe produktesh për network.

Ky aktivitet ishte stabil dhe, referue parimit të Valdrin që çdo fitim do ri-investohet, në vijueshmëni duhej pa mundësia për zgjanim aktiviteti. Kompania po kërkonte me përmirsue punën. Duhej gjetë nji zgjidhje ma e mirë dhe kjo u ofrue nga kompania ASK në Prishtinë.  Ask kishte gamë produktesh të mjaftueshme, cmime ma të mira, si dhe mundësi bashkëpunimi, jo vetëm me marrë por edhe me eksportue produktet tona.  Duhej ba gati infrastruktura për me hapë nje filial në Tiranë.  Qendra do ishte në Kukës.

2006  – Filiali në Tiranë  

Erdhi furnizimi i parë prej Prishtine. Pavarësisht vështirësive, tue fillue në doganë me mosnjohjen e praktikave për trajtimin e këtyne produkteve, rrugës së gjatë dhe të vështirë, problemet e akomodimit në ambientin e ri, u arrit të hapej filiali në Tiranë.

Dyqani u paraqit mirë me llojshmëni produktesh, cmime dhe pamje.  Kishte kujdes për gjithcka.  Personeli ishte i motivuem. Konkurenca do të ishte e fortë.

Ndërkohë vijonte pa ndërpre kontakti me klientat ekzistues që ishin të mbartun prej punës me sistemet satelitore dhe me produktet e networkut. Kontaktohej me partnerë dhe klienta të ri të mundshëm.  

A4Tech ishte markë e re në treg, cilësore, por ma e shtrenjtë se produktet e ngjashme. Kishte vështirësi për pranimin si “brand”, për shkak të cmimit, pavarsisht se ishte nxjerrë në treg me zero lek marsh fitimi. Valdrin dëshironte te fuste në treg kompani prestigjioze si TRENDnet dhe A4Tech.

Parimi që fitimi do investohet solli kontratën e radhës me kompaninë E-Pro. Malli do të vinte me Konteiner direkt nga fabrika.

2007 – Shtohet gama e artikujve me produktet e E-Pro.  Cilësisht ishin ma të mirat e tregut për llojin e vet.  A4Tech, që fillimisht u sugjerue dhe u muer në Prishtinë, tash vjen prej Germanie, por shpejt u muer vesh se çmimet e distributorit në Gjermani ishin nga 10 deri 15% ma shtrenjtë se në fabrikë. Transporti kushtonte njësoj: si kamion prej Gjermanie, si konteiner prej Kine. U kërkue furnizimi direkt nga fabrika në Hong-Kong. Marrveshja e arritun për furnizim të drejtpërdrejtë solli çmime ma të lira në treg si dhe punë me marsh fitimi për Valdrin.  

Së shpejti u ba kontrata me A4Tech, ku Valdrin do të ishte distributor ekskluziv për Shqipninë dhe Kosovën.  Valdrin tash filloi me eksportue produkte të IT-së në Kosovë.

2008 – Interneti po përhapej masivisht. Operatorë të shumtë u angazhuan në këtë biznes. Duhej ecë me situatën aktuale.  Përhapja e internetit ofroi mundësi për salla interneti publike të cilat kishin nevojë për kompjutera dhe Valdrin do ta ofronte këtë për rreth 280 klienta në qytete të ndryshme të Shqipnisë.

Nëse interneti nuk do të ishte ma objekt në fokus për Valdrinin, duhej forcue llojshmënia e produkteve të IT-së, kompjutera dhe pjesë kompjuterike.

Dukej se gjanat po ecnin mirë deri kur merret nji njoftim tronditës nga përfaqesuesi i filialit të Tiranës.  Nga reshjet e vazhdueshme të shiut ishin hapë portat e liqenit të Farkës dhe magazina e Valdrinit në Lundër ishte përmbytë.  Uji kishte arritë deri ne 50 cm brenda ne magazine.  Pamja ishte katastrofike. Ishte damtue nji sasi shum e madhe e mallnave.  Nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse pranimit të kësaj humbjeje.  

Ditet kalonin dhe rikuperimi ishte shumë gradual.

2009 – Konkurenca imponon detyrimisht zgjidhjet ma të mira, kështu që ishte imediate që cdo produkt të merrej direkt nga fabrikat.  Kontaktohet me kompani të reja prodhuese. Meqë vlerat e produkteve të IT-së jane relativisht të nalta, edhe parimi fito dhe investo nuk mjafton.  Në vijueshmëni duhej ndihma e bankave, me të cilat, Kompania fatmirësisht kishte raporte të mira.

Furnizimi i radhës do të vijë nga marrveshja me kompaninë KTC.  Realizohet marrëveshja për përfaqësim ekskluziv për Shqipninë.

Biznesi vazhdon me ritme pozitive dhe tendenca për rritje asht e vazhdueshme. Natyrisht edhe problemet nuk mungojnë.

2010 – Kriza ekonomike botnore ishte në thellim por në Shqipni akoma nuk kishin fillue me u ndje efektet. Por sidoqoftë duheshin marrë masa paraprake. Ishte nji nevojë e domosdoshme rritë rentabilitetin pa ulë cilësinë e shërbimeve.

Në këtë kontekst u pa si zgjidhje zëvendësimi i objekteve me qira, me objekte të kompanisë. Për këtë kontaktohet banka e cila asht e gatshme me  financue për blemjen e nji objekti.

Për blemje kishte objekte mjaftueshëm, kështu që u zgjodh ma i përshtatshmi. Më datën 29 mars u ba transferimi i mallnave dhe sistemimi i tyne në objektin e ri.  

Meqë banka mbuloi pjesën me të madhe të blemjes së objektit, mjetet financiare mund të përdoreshin për shtim të gamës së artikujve.  

Ambiciet e Valdrinit çuan në lidhjen e kontratave me dy kompani të tjera, A Open dhe Gembird.  

Kriza ekonomike e gjatë në kohë, po jepte efekte edhe në Shqipni.  Veçmas kishte ramje në filialin e Tiranës. Kukësi po ecte njitrajtshëm në depon e pijeve, por jo edhe lokali bar-kafe.

2011 – Kriza globale vazhdonte dhe nuk dukej se do ketë përmiresim.  Situata jo e mirë ekonomike imponon reduktim të shpenzimeve.  Bar-Kafe nuk po ecte mirë. Për herë të parë dhe për fat të keq, Valdrin detyrohet të mbyllë nji aktivitet dhe të shkurtojë 9 vende pune.

Te gjitha aktivitetet e Valdrin vazhdojnë me rutinën e tyne, por me qarkullim ma të ulët. Efektet e krizës janë përherë e ma të dukshme. 

Duhej ba përpjekje për shtimin e  artikujve.

Përzgjidhen furnitorë të rij me të cilët lidhen kontrata. Kontratat me Tenda.Co, DeepCool, Smart rriti gamën e produkteve.

2012 – Eliminimi i produkteve stok për nji kohë të gjatë merr randësi imediate. Pas listimit dhe kalkulimit të kostos për to, u vendos që do të dilnin në treg me gjysëm çmimi.  Shitja e produkteve stok po ecte mirë dhe, pavarësisht se ishte shitje me humbje, po mblidhte mjete financiare të bllokueme për nji kohë të gjatë. 

Ishte koha të kthehej vëmendja tek ambientet e ish-bar-kafesë. Për këtë duhej ba nji rikonstruktim i përgjithshëm i kësaj hapsine.

Kompania Valdrin, përveç kambënguljes, ideve të reja dhe vendosmënisë për realizimin e tyne nga drejtuesit e saj, ka pasë fatin e mirë të ketë qysh prej fillimit nji komponent të randësishëm në rritjen e saj. Ky komponent asht sensi artistiko-estetik. Seicili aktivitet, dhe paraqitja tanësore e Kompanisë, ka pasë performancë të qartë artistiko-estetike. Ky sens asht manifestue  në mënyrë të natyrshme.

Bar-Kafeja, qysh në fillim, ishte atraktive për klientët dhe vizitorët, për vecanësitë e këtij sensi artistik që ofronte, ku vepra arti ishin pjesë organike e interierit. Rigjallnimi i Bar-Kafesë duhej ba tue sjellë risi.

Meqenëse njerëzit nuk kanë kohë, mundësi ose rast me vizitue galeritë e artit, atëhere arti duhet me shkue tek njerëzit. “Nëqoftëse mali nuk vjen tek Muhameti, atëherë Muhameti do të shkojë tek mali”.

ARTCAFé do të ishte produkti dhe risija.

E gjithë hapsina e quejtun Artcafé, asht kombinim i ballancuem i galerisë së artit me bar-kafenë, përftim i kënaqësisë shpirtnore dhe shijes.

Drejtuesit e Kompanisë të entuziazmuem nga kjo gjetje, u angazhuan drejtpërdrejt për implementimin e menjihershëm të ketij projekti.

2013 –Inagurimi i Artcafé u ba në shkurt 2013. U çel e para Galeri private në Kukës. Ishte eveniment për qytetin dhe nji faktor i randësishëm i komunikimeve shpirtnore e emancipuese. Pjesëmarrja e madhe në ekspozitën e parë të kësaj galerie, nxiti Kompaninë Valdrin për mbështetje të ekspozitave dhe takimeve artistiko-kulturore në vazhdimësi. Marrëdhania dhe bashkëpunimi i Kompanisë me artistët, gazetarët, intelektualët dhe dashamirëasit e artit u forcua edhe ma shumë. Vecanërisht piktorët kuksianë do të kenë nji hapsinë ekspozimi për veprat e tyne ndërsa Valdrini do të ofronte për publikun nji atmosferë ma artistike dhe intelektuale.

2014 – Situata ekonomiko-financiare e kompanisë nuk asht e balancueme. Kjo, kuptohet, ndodhte prej kohës së gjatë që kriza po vazhdonte, uljes së fuqisë blemëse e, si pasojë, të uljes së kërkesës. Si rezultat u ngadalsue qarkullimi i mallnave që ofron kompania,  gja që krijoi vështirësi financiare, saktësisht mungesë të likuiditeteve. 

Duhej pastrue situata. U vendos që të reduktohen furnitorët në aktivitetet bazë (depo pijesh dhe IT). Përllogariten saktësisht të ardhunat prej seicilit furnitor dhe, në menyrë shumë pragmatiste, vendoset që do vazhdojnë të jenë si furnitorë nji numër ma i vogël kompanish, vetëm 5 kompani për depon e pijeve dhe 5 per IT-në.  Produktet e tjera do të likuidoheshin me kosto ose edhe nën kosto.

Asht hera e parë që Valdrin detyrohet me zvoglue bazen e aktivitetit ekzistues, por kjo per pak kohë. U pa se produkti i sistemit të kamerave të vëzhgimit që kishte qenë risi për kohën kur ishte prezantue në Shqipni, tashti mungonte. 

Lidhet nji marrëveshje me nji partner të ri, nji kompani në Kinë, e specializueme për CCTV & IP Kamera. Produkti pritet shum mirë në treg, referue cilësisë dhe çmimit.  Valdrin nuk abuzon me çmimin por kalkulon çmimin. Kjo bani që çmimet që Valdrin ofron për këto sisteme të jenë rreth 30% ma lirë se tregu aktual.  Konkurentët janë të detyruem me ndjekë Valdrinin në këtë rast.

2015 – Biznesi vashdon përkrah me krizën.  Valdrin asht optimist, “do ja dalim”.

 

Galeria Artcafé përbahet nga katër hapsina: hapsinat 1 dhe 2 presin ekspozitat mujore; hapsina 3 ekspozon sixhade, qilima dhe tapiceri autoriale unike; hapsina 4 asht e dedikueme për fëmijët si ambient zbavitjeje dhe kreacioni.

Ekspozita e tashme, për 20-vjetorin e Kompanisë Valdrin, asht e dhjeta në radhë nga ekspozitat e hapuna në këtë galeri. 127 artistë të artit viziv, vendas dhe të huej, kanë ekspozue veprat e tyne në Artcafé.

 

-         “1” – (Group show), 8 March – 21 October 2013

 

-         TULIPA ALBANICA - ­­PHOTOGRAPHY – (Solo),  22 October –

22 November 2013

 

-         RETROGRADE: LOOKING FORWARD – (Group show),  

23 November - 2013 – 20 March 2014

 

-         THE MYTH OF BIRTHPLACE – (Solo), 21 March – 6 May 2014

 

-         ARTKUKES 2014 – (Group show),  7 May – 17 July 2014

 

-         INTERSECTION – (Group show), 18 July – 17 October 2014

 

-         TERRA AUSTRALIS – (Solo), 18 October – 12 December 2014

 

-         EASTERLY WEST - (Group show), 13 December 2014 - 27 February 2015

 

-         77 STEPS AND THE MYTH – (Group show), 28 February – 25 March 2015

 

-         VALDRIN’S 20th ANNIVERSERY, 28 March – 15 April 2015

 

 

Çertifikatat, Mirënjohjet dhe Vlerësimet.

Kompania Valdrin ka qenë në vijueshmëni e ndjeshme dhe e interesueme që aktiviteti i saj të shkojë në shërbim të komunitetit, si aktiviteti i biznesit ashtu edhe donacionet për organizata humanitare e të shoqnisë civile.

Për këtë, ajo asht vlerësue me çertifikata e mirënjohje nga disa institucione e organizata.

 

Aktivitete rekreacioni me punojsit e kompanisë

Kompania ka qenë gjithmonë e vetëdijshme se funksionimi ma i mirë i kompanisë arrihet kur punojsit dhe drejtuesit e kompanisë bashkëpunojnë si nji trupë e vetme. Ky bashkëpunim nuk kufizohet vetëm në aktivitetin ekonomik të kompanisë por edhe në fusha të tjera të marrdhanieve njerzore.

Punojsit e kompanisë, ndër të tjera, shpesh kanë organizue festa të përbashkëta në vende të ndryshme.

                                                                                                                                                                       Valdrin SHPK